Disa njerëz e kanë mohuar mundësinë që Pejgamberi alejhi selam të prekej nga magjia, duke menduar gabimisht se të prekurit nga magjia është mangësi dhe turp. Në fakt, prekja e Profetit alejhi selam nga magjia dëshmon për natyrën njerëzore të tij, pasi ajo është një lloj sëmundjeje. Fakti që ai u prek nga magjia duhet trajtuar njëlloj si helmimi me mishin e deles.
Kadi Ijadi thotë: “Magjia është një lloj sëmundjeje, e cila mund ta prekë njeriun. Si e tillë, ajo mund të prekte edhe Profetin alejhi selam por pa e cenuar aspak statusin e tij si Profet i Zotit. Për sa i përket faktit që atij i dukej se vepronte diçka, që, në të vërtetë, nuk e vepronte, ky nuk mund të jetë argument që do cenonte vërtetësinë e tij si Profet dhe paprekshmërinë e Mesazhit të tij, sepse Allahu i Lartësuar e kishte ruajtur atë, ashtu si çdo profet tjetër, nga të tilla cenime. Magjia e preku atë thjesht dhe vetëm në çështjet e dynjasë, të cilat nuk kishin lidhje me misionin e tij si pejgamber i Zotit të gjithësisë. Pra, si njeri dhe në çështjet e dynjasë, nuk ishte çudi që edhe ai të prekej nga të tilla ndikime, që, më pas, Allahu i Lartësuar ia largoi, duke mësuar kështu umetin se ai ishte thjesht një njeri, ndërsa i gjithë pushteti është vetëm në dorën e Allahut të Lartësuar.”
Qëllimi ynë është thjesht të tregojmë udhëzimin e Pejgamberit alejhi selam në kurimin dhe trajtimin e magjisë. Prej tij janë përcjellë dy mënyra:
Mënyra e parë: Gjetja e magjisë dhe shkatërrimi i saj. Kjo është mënyra më e plotë e shërimit nga magjia. Kështu veproi Pejgamberi alejhi selam. Ai iu lut Allahut të Lartësuar që t’ia zbulonte magjinë dhe Ai ia tregoi atë. Atëherë, Pejgamberi alejhi selam e nxori atë nga pusi ku ishte fshehur. Ajo qe e përgatitur me flokë të Profetit, e mbështjellë në një lëpushë hurme.[1] Me ta zbuluar dhe nxjerrë magjinë, iu largua menjëherë ajo që ndiente, sikur të ishte çliruar nga zinxhirë që e mbanin lidhur.[2] Kjo është mënyra më e mirë e kurimit të magjisë. Ajo është e ngjashme me pastrimin e plotë të trupit nga lëndët septike.
Mënyra e dytë: Nxjerrja jashtë e substancave të këqija nga organi që është prekur më tepër nga magjia. Magjia vërtet ndikon shumë në natyrën e njeriut. Ajo i trazon lëndët bazë të trupit, prodhon substanca të dëmshme dhe turbullon temperamentin. Nëse ajo ndikon në një pjesë të trupit, prej së cilës mund të nxirret lënda e keqe, atëherë kjo mënyrë bëhet e domosdoshme. Ebu Ubejdi tregon në librin e tij Garib el Hadith, me sened deri tek Abdurrahman ibn Ebu Lejla, se: “Pejgamberi alejhi selam, kur i bënë magji, bëri hixhame me bri në pjesën e sipërme të kokës së tij”.
Disa të paditur, kur dëgjojnë mënyrën e dytë të mjekimit, thonë: “E ç’lidhje ka magjia me hixhame-n? Ku magjia e ku hixhame-ja!”. Por nëse këtë do ta gjenin të shkruar si porosi të Hipokratit, Ibn Sinës apo të të tjerëve që ata i pasojnë verbërisht, do ta pranonin pa bërë fjalë, ose thjesht do të thoshin: “Aaa, kështu ka thënë filani e filani!”
Ndikimi i magjisë me të cilën u prek Pejgamberi alejhi selam ishte i përqendruar në kokë, në një nga zonat e saj, gjë e cila shkaktonte njëfarë shpërqendrimi. Atij i dukej se kryente diçka, por që, në të vërtetë, ai nuk e kryente atë. E tillë është magjia: një manipulim dhe ndikim në trupin dhe gjakun e njeriut.
Magjia është një gërshetim i fuqisë së shpirtrave të këqij dhe i efekteve negative që ata kanë në funksionet normale të trupit të njeriut. Magjia më e keqe është ajo që prek ndjesitë e organit të prekur. Nëse zbulohet organi ku është bërë magjia (sipas shenjave), atëherë heqja e gjakut me kupa në atë pjesë të trupit është mënyra më e mirë e trajtimit, nëse bëhet ashtu siç duhet. Hipokrati ka thënë: “Gjërat që duhen nxjerrë nga trupi duhet të nxirren jashtë pikërisht nga ajo pjesë e trupit që është më e prekur dhe me mjetet e mënyrat më të përshtatshme dhe më të mira.”
Disa njerëz thonë që Pejgamberi alejhi selam, kur u prek nga magjia dhe pa ndikimet që ajo solli në veprimet e tij, mendoi se kjo kishte ardhur ngaqë gjaku i prishur i kishte vajtur në tru dhe kishte prekur aparatin e ndjeshmërisë. Pra, për shpërqendrimin në veprimet e tij, ai fajësoi ndikimet e gjakut, prandaj zgjodhi hixhame-n, si një nga rrugët më të mira të kurimit të asaj kohe. Ky lloj mjekimi u zgjodh para se atij t’i zbulohej prej Allahut të Lartësuar që ajo ishte magji. Më pas, kur u njoftua se kishte të bënte me diçka tjetër, ai zbatoi mjekimin e saktë dhe të vërtetë ndaj magjisë, duke e lutur Allahun e Lartësuar që t’ia tregonte se ku ishte fshehur magjia, për ta shkatërruar atë. Me të vepruar këtë, ai u shërua plotësisht dhe u ndie shumë i çliruar. Kjo do të thotë që ndikimi i kësaj lloj magjie ishte thjesht në ndjesitë e tij, jo në mendjen dhe zemrën e tij. Për këtë arsye, ai ishte i vetëdijshëm se thjesht po i dukej që e kishte vepruar një gjë që, në fakt, nuk e kishte bërë. Të tilla pasoja mund të vijnë edhe nga sëmundje të tjera.
0 comments:
Post a Comment